Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) së shpejti do të ketë degën e saj të re, ku do të përmirësohet shërbimi për bashkitë veriore Kukës, Tropojë dhe Has.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga projekti për ndërtimin e kësaj godine, e cila do të përmirësojë shërbimin për qytetarët.

 

Rama tha se ky projekt është gati për të nisur nga puna për lehtësimin dhe modernizimin e shërbimeve të transportit rrugor për tre bashkitë veriore Kukës, Tropojë dhe Has.

 

Mbi 18 mijë mjete rrugore dhe mbi 28 mijë drejtues mjetesh shërbehen në këtë degë rajonale, ku kryhen rreth 72 mijë shërbime në vit, përfshirë një numër të konsiderueshëm mjetesh kosovare që shërbehen për testin e tahografit.

 

Ky investim përfshin ndërtimin e objektit të ri me sipërfaqe 420 m2 (administrata, salla e shërbimeve dhe klasa e testimit), rikonstruksionin e kapanonit të QKT, ambienteve të administratës dhe Arkivës në të, si edhe të oborrit funksional me 30 vendparkime, në total për 5 600 m2 ndërhyrje.