Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti Kryetarin e ri të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Guido De Sanctis.

 

 

Pasi i uroi suksese në misionin e tij në Shqipëri, Kryetarja Nikolla, shprehu vlerësimet e larta për bashkëpunimin shumë të mirë mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së.

"Pas përfundimit me sukses të reformës administrativo-territoriale, bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së është fokusuar në realizimin e reformës zgjedhore. Në bashkëpunim me Komisionin e Posaçëm për Reformën, ne do të përpiqemi të kompensojmë vonesat dhe të përfundojmë në kohë reformën zgjedhore, një pjesë e rëndësishme e së cilës është votimi i Diasporës nga jashtë vendit. Kuvendi do të përmbushë në afat detyrimet që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për krijimin e kushteve për votimin nga jashtë vendit”, theksoi Nikolla.