Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se vendi i tij ka ofruar hapjen e dy pikave kufitare me Sirinë për komunitetin ndërkombëtar për të dërguar ndihma humanitare në rajonet veriore të vendit, që janë goditur nga tërmetet.

 

“Ne i treguam komunitetit ndërkombëtar dhe OKB-së se ata mund të dërgojnë ndihma humanitare përmes dy portave nën kontrollin tonë. Ne thamë se mund t’i hapim këto porta për ndihmën humanitare”, tha Çavuşoğlu gjatë një konference të përbashkët për media në Ankara me homologen e tij libiane, Najla al-Mangoush.

 

Shefi i diplomacisë turke po i referohej dy portave kufitare në provincën jugore Kilis.

 

Megjithatë, Çavuşoğlu shtoi se “nuk bëhet fjalë që Türkiye të hapë pikat kufitare në vendet (në Siri) të kontrolluara nga PKK-ja dhe YPG-ja”.

 

“Türkiye mund të hapë hapësirën e saj ajrore nëse Belgjika ose vendet e tjera evropian duan t’i marrin refugjatët sirianë në vendet e tyre”, tha ai.

 

Sipas shifrave të fundit zyrtare, të paktën 31.643 persona humbën jetën nga dy tërmetet që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt.

 

Nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 me qendër në Kahramanmaraş janë prekur mbi 13 milionë njerëz në dhjetë provinca, përfshirë Hatay, Gaziantep, Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

 

Në Sirinë fqinje, numri i vdekjeve nga tërmetet ka arritur në 3.500, me mbi 5.200 të tjerë të plagosur./AA