Policia ka arritur të zbardh konfliktin e ndodhur  mes dy nxënësve të gjimnazit "At Shtjefen Gjeçovi" në Laç, ku mbeti i plagosur me armë zjarri njëri prej tyre. Disa orë pas ngjarjes, blutë bënë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të plagosjes 17-vjeçarit A. Gj. Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe kontrolleve të pandërprera shërbimet e policisë e lokalizuan dhe prangosen në një banese të braktisur në Kurbin.

 

Pak orë pas arrestimet të tij  u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit e përdorur nga autori, të cilën e kishte hedhur për ta fshehur në një parcelë toke bujqësore, në afërsi të një ure në Sanxhak të Kurbinit. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i armës së zjarrit si dhe disa fishekëve luftarakë të cilët iu gjetën në dhomën e tij gjatë kontrollit të banesës.Ndaj shtetasit A.GJ janë ngritur akuzat " Plagosje e rëndë me dashje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake". Konflikti mes nxënësve të gjimnazit të Laçit, ndodhi rreth orës 12 e 20 minuta të së hënës jashtë ambienteve të shkollës, ku pas debatit verbal për motive të dobëta, 17-vjeçari me inicial A.GJ nxori pistoletën që e mbante me vete në shkollë dhe qëlloi në këmbë 15-vjeçarin L.RR, duke e lënë të plagosur. Ai u dërgua menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit, nga ku bëhet e ditur se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.