Pedagogët paralajmërojnë sërish protestë. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ftoi pedagogët dhe stafin akademik si dhe studentët në një tubim më 22 shkurt te Korpusi.

 

 

Kreu i kësaj sindikate Sandër Kovaçi tha se baza e protestës janë kërkesat e peticionit të firmosur nga pedagogët.

 

Ai tha se jemi në vitin e dhjetë të kësaj qeverie dhe se nuk ka më tolerim.

 

 

 

DEKLARATA E PLOTË

Në vijimësi të përmbushjes së misionit tonë akademik si dhe të zotimit që të gjithë bashkë kemi bërë “për një arsim cilësor dhe në shërbim të shoqërisë”, përgjatë këtyre muajve kemi ndjekur shqyrtimin, nga ana e autoriteteve publike, të kërkesave të peticionit tonë.

Ju informojmë se SPUSH i është drejtuar zyrtarisht dhe publikisht institucioneve përkatëse për trajtimin e kërkesave legjitime të stafeve akademike, ndihmës-akademike dhe administrative, me besimin se këto institucione njohin, vlerësojnë, pra dhe do duhet të mbështesnin organizimet publike dhe vullnetare të stafeve akademike dhe zërin e këtij grupimi intelektual, që më shumë se kushdo tjetër besojnë se një shoqëri demokratike funksionon si e tillë për aq kohë, sa qytetarëve të saj iu mundësohet cilësia e arsimit.

Mungesa apo shkëputja e urave të komunikimit dhe informimit ndërmjet qeverisë dhe profesoratit është shembulli më i keq për të treguar hegjemoninë e makinerisë së pushtetit ndaj grupimeve më genuine të shoqërisë.

Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe të ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë.