Leonard Duka, një ndër autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, në vitin 2019, është arrestuar në Belgjikë.

 

Policia bëri me dije më herët se Duka fshihej në një banesë private, në një provincë të Brukselit. Pasi është mësuar vendndodhja e tij autoritetet shqiptare kanë shkëmbyer informacion me Fast Belgjikën, të cilët në kuadër të operacionit policor të koduar “Provinca“, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin 37-vjeçarin.

 

Emri i Dukës është shumë i njohur për drejtësinë, teksa ai njihet edhe si  kreu i ‘Klanit Duka’.

 

Leonard Duka, gjithashtu është kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt, edhe pse më parë ata kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, por më pas patën përplasje të ashpra pikërisht për këtë aktivitet.

 

Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt, fillimisht duke u përpjekur të eleminojë mbretin e lojrave të fatit, gjë që nuk u realizua.

 

Kështu pasi i dështoi skenari për eliminimin e Martinajt, në shenjë hakmarrje Leonard Duka dhe persona të tjerë pjesë e klanit të tij kanë vrarë në vitin 2019 ish-policin, Santiago Malkon, duke e ekzekutuar me breshëri plumbash nga një furgon në lëvizje në rrugën “Xhanfize Keko”.

 

Kujtojmë se Duka është dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar me masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.