Kapiteni i kombëtares turke të hendbollit, Cemal Kutahya dhe djali i tij Cinar Kutahya humbën jetën në tërmetin katastrofik që goditi rajonin jugor të Türkiye-s javën e kaluar.

 

Dy tërmete shkatërruese me intensitet 7.7 dhe 7.6 ballë sipas Rihterit javën e kaluar tronditën pjesët jugore të Türkiye-s, epiqendra e të cilave ishte në Kahramanmaraş ndërsa një numër i ekipeve të shpëtimit vazhdojnë me përkushtim të kërkojnë dhe shpëtojnë njerëz të bllokuar nën rrënoja.

 

"Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tonë Cemal Kutahya, kapitenin e kombëtares tonë të hendbollit për meshkuj dhe djalit të tij Cinar, të cilët u mbuluan nga rrënojat e shtëpisë së tyre ku jetonin në Antakya", thuhet në deklaratën e Federatës së Hendbollit të Türkiye-s (THF).

 

Duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, THF premtoi se do të bëjnë çmos që emri dhe kontributi i tij që ka dhënë për sportin të mos harrohen kurrë.

 

"Të falënderojmë për gjithçka që i dhe vendit tonë, Cemal. Jemi të kënaqur me ty, nuk do të harrojmë", thuhet në deklaratë.

 

Kryetari i THF-së, Uğur Kilic shkroi në llogarinë e tij në Twitter se Cemal Kutahya ishte njeri dhe sportist me zemër të madhe dhe kapiten në kuptimin e plotë të fjalës.

 

"Përqafove djalin, shkove në parajsë. Shprehim keqardhje të thellë. Ende nuk e kemi gjetur gruan dhe vjehrrën e Cemal-it. Po punojmë në këtë drejtim", shkroi ndër të tjera Kilic./AA