Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie, se do të shumëfishohet rezistenca në Parlament.

 

“Demokratët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga zgjedhjet, as të dorëzohen. Ky është revolucion. Unë e kuptoj se ky term ngjall debat. Por në rast se një vendi, me forca madhore, i shkatërrohet pluralizmi, si mund ta rivendosë ai? Ai është një akt kundërrevolucionar, ky është revolucion. Ai është grusht shteti kundër pluralizmit”, u shpreh Berisha para deputetëve duke folur për vijimin e protestave që nisën më 11 shkurt.

 

“Ne përfaqësojmë 750 mijë zgjedhës”, tha Berisha duke u kërkuar deputetëve të

përcaktohen detyra më konkrete dhe të vazhdohet beteja në të gjitha planet.

 

“Ne jemi në hapat më fillestarë të mosbindjes civile, të shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm që ka mosbindja civile. Nuk shkojmë te forca. Sepse të shkosh te forca, do të thotë të marrësh pushtetin me forcë. Që në këtë moment, kjo forcë asgjëson veten.

Por përdorim çdo formë të mosbindjes civile”, theksoi ai.

 

Berisha u ndal edhe tek vendimi i pritshëm i Apelit për përfaqësimin e PD-së.

 

“Përpjekja për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet është etapa e tretë e skenarit të të njëjtëve autorë. Por absolutisht do marrin përgjigjen e merituar. Sepse çdo vendim, përveç vendimit që është marrë, është i paligjshëm. Nuk ka asgjë më të paligjshme se shpallja palë e atij që nuk është palë. Ne kemi vendimin e gjykatës, ata që duan të na përjashtojnë ne, do përballen me ne. Kjo është e gjitha”, u shpreh Berisha.

 

Pjesën e parë të mbledhjes Berisha ia kushtoi shpjegimeve për atë që e cilëson afera Rama-McGonigal.

 

“Ne na duhet një dialog shumë intensiv. Sepse ky grup jo vetëm ndërmori aktet më të turpshme dhe kriminale ndaj opozitës dhe pluralizmit, por ky grup i siguroi kësaj organizate kriminale mbrojtjen më të fuqishme ndërkombëtare, evidente”, tha Berisha.

 

Ai u ndal dhe tek qëndrimet e ndërkombëtarëve duke theksuar se ambasadorja Kim dhe Metju Palmer uruan fitoren e zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor që cilëson se kjo ndodh pas shqyrtimit të ankesave.

 

“Është një standard që e dha ambasadori i SHBA në OSBE në Vjenë. Por këtë nuk e dha Juri Kim, nuk e tha Metju Palmer. Prisnin me padurim fitoren e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.