Nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkup, janë nisur 2 kamionë me ndihma për të prekurit nga tërmeti në Türkiye, i cili cilësohet si "fatkeqësia e shekullit".

 

Ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti mbajtën një konferencë për media me këtë rast.

 

Në deklaratën e tij, ambasadori Sekizkök tha se po mobilizohet me institucionet dhe popullin e Maqedonisë së Veriut për të ofruar ndihma për të prekurit e fatkeqësive në zonat e tërmetit.

 

"Jemi në qendrën e Kryqit të Kuq të Maqedonisë, ku janë 25 tonë ushqime dhe materiale higjienike si dhe 4 mijë batanije, të cilat aktualisht janë duke u ngarkuar në 2 kamionë për t'i dorëzuar Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Gaziantep", tha Sekizkök.

 

Ai falënderoi Maqedoninë e Veriut për ndihmën ndaj Türkiye-s. "Dy kamionë do të nisen sot. Deri më sot nën koordinimin e Ambasadës sonë me mbështetjen e organizatave të ndryshme joqeveritare, kompanive dhe vëllezërve tanë në këtë vend për të prekurit nga tërmeti në Türkiye janë mbledhur 850 tonë ushqime, 53 tonë veshje, 27 tonë materiale higjienike, 34.360 ​​batanije, 186 ngrohës, 37 tenda dhe 18 gjeneratorë", tha ambasadori Sekizkök.

 

Sipas tij, aktivitetet e ndihmës në shkallë shumë të gjerë ende vazhdojnë.

 

"Sa i përket ndihmës në para; nga e premtja e kaluar në Türkiye është transferuar një shumë prej afro 1 milion eurosh. Në ditët në vijim do të nisin të dërgohen donacionet nga këshillat bashkiakë, dhoma e mjekëve, dhomat e tregtisë dhe donacionet e mbledhura nga vëllezërit tanë nga i gjithë vendi. Nëse na duhet një shifër e përafërt për shumën totale të këtyre, mund të themi se kanë arritur në 1 milion euro. Një ditë më parë u zhvillua një fushatë ndihme nga një kanal televiziv. Ne jemi shumë të lumtur për këtë", deklaroi Sekizkök.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti, informoi se deri më tani janë mbledhur rreth 25.1 milionë denarë (rreth 407 mijë euro) në para të gatshme, 800 pako ushqimore, 1.700 pako me materiale higjienike dhe 4.000 batanije./AA