Eurodeputetët hungarezë kanë kërkuar dorëheqjen e Komisionerit të BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, pasi ai i quajti anëtarët e Parlamentit Evropian "idiotë".

 

Varhelyi të martën iu përgjigj pyetjeve të ligjvënësve të BE-së në një debat mbi procesin eurointegrues të Ballkanit Perëndimor në seancën plenare të Parlamentit Evropian (PE).

 

Pasi iu përgjigj pyetjes së politikanit kroat Tomislav Sokol, Varhelyi harroi të fikte mikrofonin.

 

"Sa idiotë të tjerë ka akoma (në listën e folësve)?", psherëtiu Varhelyi në hungarisht.

 

Partia opozitare hungareze Koalicioni Demokratik publikoi një deklaratë, duke kërkuar dorëheqjen e eurokomisionerit Varhelyi.

 

"Nuk është e zakonshme në PE të quhen idiotë ata me të cilët nuk pajtohemi", tha në një deklaratë Sandor Ronai, eurodeputeti socialdemokrat nga radhët e Koalicioni Demokratik.

 

Nga kjo parti premtuan se do t'ua raportojnë rastin presidentëve të PE-së dhe Komisionit Evropian.

 

Varhelyi ende nuk ka komentuar mbi incidentin.

 

Në janar, Grupi Socialist dhe Demokrat i Parlamentit Evropian bëri thirrje për një hetim, duke akuzuar eurokomisionerin Varhelyi se "qëllimisht" kërkon të "minojë qendrën e reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që janë në proces të anëtarësimit në BE", veçanërisht në marrëdhëniet me Serbinë.

 

Kinga Gal, ligjvënëse e BE-së nga partia qeverisëse hungareze Fidesz, parti që emëroi Varhelyin si komisioner, e refuzoi akuzën dhe e quajti atë një "fushatë politike"./AA