Të premten, aeroportet gjermane, përfshirë më të madhin në Frankfurt, do të paralizohen nga një grevë. Sindikatat duan rritjen e rrogave, shkruan Deutsche Welle.

 

Sindikata ver.di ka paralajmëruar një grevë për të premten në aeroportet në Frankfurt, Mynih, Hamburg, Shtutgart, Dortmund, Hannover dhe Bremen.

Sindikata është në negociata të vështira për rritjen e pagave të punonjësve në shërbimet publike në nivel të shtetit, qyteteve dhe bashkive. Stafi i aeroportit shpesh paguhet sipas marrëveshjeve kolektive. Në të njëjtën kohë, po vazhdojnë negociatat për pagat e pjesës tjetër të stafit, si dhe të të punësuarve në kontrollin e fluturimeve.

 

 

Mos ejani në aeroporte

 

Shërbimi Fraport, i cili menaxhon aeroportin më të madh të Gjermanisë, atë në Frankfurt, këshillon udhëtarët që të mos vijnë fare atje të premten. "Për shkak të grevës janë pezulluar të gjitha detyrat që mundësojnë qarkullimin ajror të qetë”, thuhet në njoftimin për media.

 

Vonesa specifike ose anulimi i fluturimeve është çështje e linjës ajrore. Me sa duket, ata do të kontaktojnë pasagjerët të mërkurën ose të enjten. Gjithsej 1.005 ngritje dhe ulje me 137.000 pasagjerë ishin planifikuar vetëm për të premten në Frankfurt.

 

Është interesante se të premten fillon edhe Konferenca e Sigurisë në Mynih, e cila mbledh burrështetas, ekspertë dhe lobistë nga e gjithë bota. Në unionin ver.di thonë se do të mund të zbresin vetëm avionët zyrtarë të zyrtarëve, ndërsa të gjithë të ftuarit e tjerë të Konferencës duhet t'ia dalin vetë.

 

Të gjitha çmimet janë rritur, po ashtu edhe pagat

 

Greva është vetëm një në serinë e aktiviteteve që kanë për qëllim rritjen e rrogave për njerëzit që punojnë për shtetin, qytetet apo bashkitë. Punonjësit e kompanive të transportit urban apo edukatorët e kopshteve në disa qytete kanë hyrë tashmë në grevë këto ditë.

 

Para raundit të dytë të negociatave (22 shkurt), sindikatat kërkojnë rritje të pagave prej 10.5 për qind, por që rritja minimale të shkojë të paktën në 500 euro në muaj bruto. Bashkitë dhe qytetet i refuzojnë kërkesat si joreale. Ata janë punëdhënës për rreth 2.5 milionë njerëz në Gjermani.

 

"Inflacioni, çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve po shtyjnë shumë punonjës në pasiguri", tha Christina Belle, nënkryetare e ver.di, për gazetën Handelsblatt. "Shumë nuk dinë si të paguajnë qiranë apo të mbushin frigoriferin”. Ata kanë nevojë për shumë më shumë para për të përballuar jetesën”.

 

Rënia e sitemit

 

Por edhe para grevës, trafiku ajror gjerman u prek nga probleme serioze. Të mërkurën (15 shkurt), u njoftua se një numër i madh fluturimesh të Lufthansa, linja ajrore më e madhe gjermane, ishin anuluar ose janë devijuar në aeroporte të tjera për shkak të problemeve me sistemin e IT.

 

Siç u tha, problemi janë sistemet, nuk ka akses në të dhënat e pasagjerëve dhe shumë avionë nuk mund të ngrihen. Kishte turma të mëdha në Frankfurt dhe Mynih, dy aeroportet kryesore të Lufthansa.