Këshilli i FIFA -s ka miratuar Raportin Vjetor 2022, sipas të cilit të ardhurat do të rriten nga 7.6 miliardë dollarë gjatë ciklit 2019-2022 në 11 miliardë dollarët gjatë periudhës 2023-2026. Kjo do të thotë se do të ketë më shumë para për të shpërndarë për anëtarët e saj (përfiton edhe Shqipëria).

 

 

“Investimi i paprecedentë i FIFA-s në futboll është rezultat i transparencës sonë solide financiare dhe qëndron si një shembull konkret se si ne po synojmë ta bëjmë futbollin global”, – tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

 

“Suksesi i jashtëzakonshëm i Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar tregon aftësinë e organizatës për të përmbushur misionin e saj në lidhje me shoqatat tona anëtare dhe botën e futbollit, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat u përballëm gjatë ciklit të kaluar (COVID-19).”

Pas vendimit të marrë nga Këshilli i FIFA-s në dhjetor 2022 për të zgjeruar Kupën Botërore të Klubeve nga 24 në 32 ekipe, me edicionin e parë të tillë që do të zhvillohet në qershor-korrik 2025, Këshilli miratoi njëzëri ndarjen përkatëse granteve.

 

 

Në lidhje me Botërorin e Klubeve 2023, që do të luhet në formatin aktual me shtatë klube, Këshilli i FIFA-s caktoi njëzëri Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite si mikpritëse të turneut nga data 12 deri më 22 dhjetor 2023.

 

Për më tepër, Këshilli i FIFA-s konfirmoi se, në përputhje me traditën, Kanadaja, Meksika dhe SHBA, do të kualifikohen automatikisht për raundin final të Botërorit 2026 si vende organizatore.

 

Këshilli i FIFA-s përditësoi përgatitjet për Kongresin e 73-të të FIFA-s, i cili do të zhvillohet të enjten, më 16 mars, në Kigali, Ruanda.