Policia e Korçës ka reaguar pas publikimit në media të një videoje ku shfaqet punonjësi i policisë Gjergj Riza duke dhunuar një qytetar në ambientet e një pallati në Pogradec.

 

Bëhet me dije se është pezulluar nga detyra punonjësi i policisë nënkomisar Gjergj Rista me detyrë specialist në Sektorin e Analizës Strategjike, Planifikimit, Monitorimit dhe Vlerësimit.

 

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrmbullaku ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor, për këtë punonjës policie, për shkelje të rëndë.

 

Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në korridorin e një pallati në Pogradec gjatë muajit Janar të këtij viti, për shkak se i riu i dhunuar Ervin Norolla dyshohej se më datë 22.01.2023, gjatë natës kishte tentuar të digjte klinikën e bashkëshortes së punonjësit të policisë.

 

Po nga verifikimet rezulton se Ervin Norolla 35 vjeç, banues në Pogradec, është arrestuar më 7 Shkurt 2023, në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Pasagjeri”, për veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta.