DIMAL- Zbardhen detaje të reja nga dosja për arrestimin e zyrtarëve të Bashkisë së Dimalit. Në dosjen hetimore janë dhjetëra raste paligjshmërie, të dokumentuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zyrtarët e Bashkisë kanë abuzuar rëndë me detyrën, duke u marrë qytetarëve shuma financiare që variojnë nga 2 mijë deri në 3 mijë euro. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se gjatë operacionit për arrestimin e personave dhe kontrollit të banesave, në shtëpinë e Arjan Demirit kanë gjetur një shumë prej 25 mijë paund si dhe një armë gjahu.

Në përgjimet e kryera përgjatë 1 viti, njeriu më aktiv në veprime korruptive, rezulton të jetë Përgjegjësi i Transportit, pranë kësaj bashkie, i arrestuari Arben Guraj. Nga përgjimet është zbuluar se gjatë komunikimit mes njëri-tjetrit, zyrtarët mbajnë qëndrime poshtëruese dhe fyese ndaj qytetarëve që ndërtojnë pa leje. E në momentin që evidentojnë rastin, paraqiteshin tek qytetarët duke i marrë 2 mijë deri në 3 mijë euro.

Qytetarët që ndërtonin pa lejë si Dritan Kalivaçi, Fitim Dushku, Adriatik Vrapi, Kimet Dervishi dhe Arben Dyli, janë detyruar të paguajnë shuma monetare në këmbim të ndërtimit pa lejë ose nxjerrjes së një leje provizore.

PJESË NGA PËRGJIMET:

”…unë i mora 2 mijë euro atij legenit që po ndërtonte, tani shkoi ti mbaro punë…”.

”…shiko mos u merr shumë vetëm me punën e shtetit. Punët e shtetit nuk mbarojnë asnjëherë,… por shiko mbaro punët private…”.

Në dosje janë dhe shumë episode të tjera korruptimi, që tregojnë qartë implikimin e të arrestuarve, por po ashtu në materialin hetimor thuhet se ka qenë seksioni i krimit ekonomik në policinë e Beratit, që ka dërguar relacion informativ për hetimin e zyrtarëve, pasi kanë marrë informacione lidhur me korrupsionin që zhvillohej.

Nisur nga kjo situatë prokurori i SPAK-ut, ka vendosur të arrestojë Arben Guraj, Altin Palin, V.J, Agim Çunaj, Arjan Demirin, Vait Koshin. Ndaj 5 zyrtarëve SPAK ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për shefen e sektorit të Urbanistikës në këtë Bashki, është kërkuar masa e “Arrestit në shtëpie”.