Pas 12 vitesh zvarritjeje, më në fund Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, i rikthehet komunitetit. Pjesa e brendshme është rinovuar dhe pikturat murale janë restauruar.

 

Ndërhyrje janë realizuar edhe në dyshemenë e xhamisë, ku janë vënë instalimet e ngrohjes dhe të ventilimit. Specialistët kanë punuar edhe në oborrin e xhamisë, duke restauruar shatërvanin, i cili gjithashtu është aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës.

 

Përtej komunitetit fetar, kjo kryevepër e arkitekturës është një aset i rëndësishëm në skenën e trashëgimisë kulturore të Prishtinës.

 

Më në fund Xhamia e Çarshisë është e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, si edhe turistët e huaj. Ndërhyrjet që mundësuan rikthimin e saj, u kryen në kuadër të marrëveshjes së përbashkët mes MKRS, BIK dhe TIKA.

 

Xhamia e Çarshisë ose Xhamia e Gurit është një prej objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. Mbi 600-vjeçare, xhamia supozohet se është ndërtuar rreth vitit 1393.