Policia e Australisë njoftoi sot se sulmi ndaj policisë në shtetin verilindor Queensland në dhjetor 2022 ishte një sulm terrorist i motivuar nga ideologjia ekstremiste e krishterë.

 

Zëvendëskomisionerja e policisë, Tracy Linford gjatë një deklarate tha se Njësia e Hetimit dhe Inteligjencës kundër Terrorizmit në Queensland kishte përfunduar vlerësimin e plotë të autorëve të përfshirë në sulm.

 

Më 12 dhjetor, dy oficerë të policisë, Rachel McCrow 29-vjeç dhe Matthew Arnold 26-vjeç dhe një civil u vranë në shkëmbimin e zjarrit në një pronë në Wieambilla, rreth 322 kilometra në perëndim të Brisbane.

 

Tre sulmues të dyshuar u vranë më vonë në një operacion të forcave speciale.

 

"Ekipet e specializuara analizuan një numër të madh provash materiale, përfshirë ditarët, librat dhe shënimet e gjetura në vendngjarje, mesazhet telefonike, emailet, postimet në mediat sociale, deklaratat e dëshmitarëve dhe pamjet e kamerave që kishin në trup", tha Linford në deklaratën e postuar në faqen e internetit të Departamentit të policisë.

 

Ajo tha se faktet e bëjnë të qartë se krimi ishte i motivuar dhe se autorët kryen një "sulm terrorist me motive fetare".

 

"Ata ishin të motivuar me ideologji ekstremiste krishtere dhe ishin pjesë e rrjetit të gjerë të besimit fundamentalist të krishterë të njohur si Para-Mijëvjeçari", tha zyrtari i policisë.

 

Megjithatë, shtoi Linford, nuk ka asnjë provë se dikush tjetër ishte i përfshirë në kryerjen e aktit./AA