Administrata Tatimore identifikon individë të caktuar, që mashtrojnë bizneset duke u prezantuar si punonjës tatimorë, të cilët nuk janë të punësuar në strukturat e saj.

 

Përmes një deklarate për shtyp, Tatimet sqarojnë se punonjësit e Administratës Tatimore ushtrojnë detyrat e tyre funksionale, në zbatim të legjislacionit tatimor në fuqi, duke u identifikuar në subjekte me elementet si: mjet identifikues (emër/mbiemër/foto/pozicioni i punës/emërtimi i drejtorisë); urdhrin e punës të firmosur nga drejtuesi i drejtorisë përkatëse dhe uniformat dalluese me mbishkrimin: Administrata Tatimore.

 

Administrata Tatimore u bëri thirrje tatimpaguesve të bëjnë kujdes nëse përballen me persona të dyshimtë, që nuk i kanë elementet si më sipër, të mos lejojnë futjen e tyre në ambientet e biznesit si edhe të denoncojnë menjëherë pranë Tatimeve./ATSH