Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar se 1 miliardë e 494 milionë lekë të vjetër do shpërndahen te 17 federatat e shumësportëshit në Shqipëri për vitin 2023. Kjo shumë është shpërndarë sipas formulës së pikëzimit që vitet e fundit është aplikuar nga ministria. Një formulë e cila ka sjellë jo pak debate, pasi edhe vetë federatat janë të paqarta për mënyrën e aplikimit të saj, teksa në lidhje me këtë ka reaguar dhe rekordmenia e atletikës, Luiza Gega.

 

 

Kampionia e “mbretëreshës së sporteve”, Gega kërkon një rishikim të kësaj formule, që do duhej të ishte sipas rezultateve të arritura dhe medaljeve në secilën disiplinë, duke i dërguar mesazh ministres Evis Kushi.

 

“Sinqerisht, kam vërtet përshtypjen që ministrja Evis Kushi s’ka dijeni për këtë logjikën e ndarjes së këtij buxheti. Shpresoj që ta shikojë sa më shpejt. Personalisht si sportiste elitare nuk kam ndonjë interes sado që të jetë buxheti i Federatës por duke qenë se ai ndahet nga performanca që kanë pasur sportistët vitin e kaluar, ndihem e ofenduar që Federatës sime, në vend që t’i ngrihej buxheti, përkundrazi, i është ulur dhe disa Federatave të tjera, ku me gjithë respektin kur ta meritojnë”, shkruan Luiza Gega në kanalet e komunikimit.

 

Te buxheti i vitit 2023 vihet re se ai është rritur në raport me vitin 2021 (1 miliardë e 380 milionë lekë të vjetër), por që është më i ulët se ai i një viti më parë (rreth 1.8 miliardë të lëvruara me dy këste, ndonëse mungon pasqyrimi zyrtar).