Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian dhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku uroi sot Kosovën me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë.

 

Në një postim në Twitter, Tabaku vlerësoi kontributin dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë luftëtarëve që luftuan për pavarësinë e Kosovës.

 

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku e cila ndodhet prej ditësh në Kosovë ka vizituar sot Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku është përulur me nderim pranë varrit të Adem Jasharit.

 

“Gëzuar Kosovë. Një ëndërr që ka 15 vite që është kthyer realitet. Kosova shtet i pavarur, është sot realitet prej kontributit e heroizmit të familjes Jashari. Në Prekaz për të nderuar familjen Jashari dhe heronjtë e qëndresës historike të Marsit 1998. Bashkë me deputeten e Kuvendit të Kosovës Blerta Deliu-Kodra dhe në familjen e Ilaz Kodrës, heroit të Prekazit që rron falë kujtimeve të Kimetes e vajzave. I përjetshëm kujtimi juaj. Gëzuar Kosovë e dashur”, shkruan Tabaku.

 

Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz, ku përveç shtëpive të shndërruara në muze, gjenden edhe të gjitha varret e të rënëve në luftë të familjes Jashari.