Qeveria pritet që shumë shpejt të bëjë fakt rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë aktualisht.

 

Rritja e menjëhershme me 17% është më e larta që është aplikuar ndonjëherë.

 

Për të mbrojtur sektorin e prodhimit nga rritja e kostove dhe sidomos fasonin qeveria pritet të aplikojë një plan kompensimi, ndërsa për sektorët e tjerë paga minimale do të rritet në 40 mijë lekë, bënë me dije burimet nga Kryeministria.

 

Rritja e pagës minimale nga 36,000 në 40 mijë lekë hyn në fuqi së shpejti, ndërsa sektori fason ku përfshihen fabrikat e prodhimit të këpucëve, tekstilit, përpunimi i mishit dhe i peshkut do të kompensohen për një periudhe dyvjeçare për diferencën e rritjes për punonjës 6 mijë lekë.

 

Sektori i prodhimit në vendin tonë vuan nga niveli i ulët i produktivitetit, ndaj rritja e pagës minimale në këto nivele rrezikon ta bëjë industrinë e fason jo konkurruese në këtë fazë që është nëse nuk bëhej kompensimi.

 

I përqendruar në punën me porosi, kryesisht për tregun italian të veshjeve, fabrikat e fasonit vuajnë nga fitimet e ulëta. Sektori nuk po arrin të ecë para me ciklin e mbyllur, të heqë varësinë me tregun italian dhe të bëje hapa para në teknologji.

 

Qeveria po rrit pagën minimale në shkallë vendi për të shërbyer si një nxitës në tregun e pagave, pasi niveli i u ulët i tyre është shkaku kryesor i emigrimit të fuqisë punëtore.

 

Tregu po sinjalizon rritje të pagave në tërësi. Në tremujorin e tretë të vitit të kaluar pjesa e punonjësve me pagë minimale në totalin e të punësuarve u përgjysmua. Vetëm 15% e të punësuarve marrin pagë minimale nga më shume se 30% në tremujorin e dytë 2022.

 

Mungesa e fuqisë punëtore po rrit pagat artificialisht në disa sektorë edhe pse produktiviteti mbetet i njëjtë. Shumë biznese në sektorin prodhues janë para presionit për të rritur pagat ose do të përballen me falimentin nëse nuk aplikojnë rritje.

 

Ekspertët pohojnë se rritja artificiale e pagës minimale, rrezikon të deformojë strukturën e pagave, pasi rritja do të ndodhë vetëm për nivelin e ulët të pagave por jo për nivelet e larta. Kjo politikë do të nxisë emigrimin e shtresës së mesme dhe profesionistëve.

 

Indeksi i Klimës së Biznesit i matur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë evidentoi se me 2021 mungesat në tregun e punës ishin shqetësimi kryesor i bizneseve, me përkeqësim gati 9 pikë në raport me vitin 2020.

 

78.7% e kompanive të anketuara pohuan se gjetja e stafit të kualifikuar në vend në vitin 2021 ishte e vështirë, ose shumë e vështirë.

 

Mungesat në tregun e punës do të jenë edhe më stresuese në vitet në vijim, pasi oferta për punonjës po reduktohet nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.//Monitor