Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka bërë të ditur se vendi i saj vazhdon të ofrojë ndihma humanitare për Türkiyen e goditur nga tërmeti, raporton Anadolu.

 

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Zakharova tha se duke marrë parasysh shkallën e fatkeqësisë natyrore në Türkiye, “me siguri do të vazhdojmë ta ndihmojmë atë në eliminimin e pasojave të fatkeqësisë”.

 

“Aktualisht, agjencitë përkatëse ruse janë duke punuar në kërkesat e marra nga pala turke, duke përfshirë furnizimin e pajisjeve, materialeve të nevojshme dhe grumbullimin e dërgimin e furnizimeve humanitare për ata që kanë nevojë përmes rajoneve të caktuara ruse”, tha Zakharova.

 

Brenda 10 orëve, dy tërmete të fuqishme tronditën Türkiyen jugore më 6 shkur, si pasojë e të cilave mbi 38 mijë persona humbën jetën.

 

- “Provokimi” i SHBA-së dhe marrëdhëniet me Izraelin

 

Zakharova e quajti “provokim” këshillën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për udhëtimin e qytetarëve amerikanë, respektivisht që “menjëherë” të largohen dhe të mos udhëtojnë në Rusi dhe Bjellorusi.

 

Ajo tha se SHBA-ja po përdor metoda diskriminuese dhe se Washingtoni po punon për ndryshimin e legjislacionit me qëllim për të konfiskuar asetet ruse.

 

“Përkundër faktit se njerëzit nuk kryejnë asnjë krim, autoritetet amerikane mund të aplikojnë të gjitha mjetet e presionit dhe t’u japin kushte të çmendura (burg) njerëzve të thjesht vetëm sepse kanë një pasaportë ruse”, tha Zakharova.

 

Më tej, ajo tha se Rusia lëshoi një këshillë udhëtimi edhe për qytetarët e saj, duke rekomanduar “anashkalimin e SHBA-së si territor i rrezikshëm për jetën dhe shëndetin”.

 

Lidhur me takimin midis zv/ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergey Ryabkov dhe ambasadores amerikane në Moskë, Lynne Tracy, Zakharova tha se ambasadores amerikane i është dorëzuar një notë duke i kërkuar SHBA-së në hapësirën digjitale të sillet “në një mënyrë që i përshatet një misioni diplomatik”.

 

Zakharova foli edhe për marrëdhëniet ruso-izraelite, duke theksuar se të dy vendet kanë “dallime të rëndësishme në vlerësimin e disa aspekteve të krizës në Ukrainë”, por në të njëjtën kohë, tha ajo, vazhdon “bashkëpunimi produktiv për çështje të tjera me interes të përbashkët”.

 

Në një postim në Telegram, Zakharova komentoi deklaratën e zv/sekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, e cila i premtoi një çmim Nobel kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për një marrëveshje në Ukrainë.

 

“Victoria, më mirë (le t’i premtojë Netanyahu-t një çmim Nobel) për zgjidhjen e konfliktit të Lindjes së Mesme”, tha Zakharova.

 

Duke iu referuar marrëveshjes së Karabakut, Zakharova tha se përfaqësuesit e Armenisë dhe Azerbajxhanit konfirmuan interesimin e tyre në përpjekjet ndërmjetësuese të Rusisë në kontaktet me Igor Khovayev-in, të dërguarin e posaçëm të ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov.

 

“Të dyja palët, ajo armene dhe ajo azerbajxhanase, konfirmuan interesimin e tyre në ndërmjetësimin e vendit tonë”, u përgjigj ajo në pyetjen për rezultatet e udhëtimeve të të dërguarit në Jerevan dhe Baku.

 

Zakharova shtoi se Rusia është e gatshme të organizojë një tjetër takim të ministrave të jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Moskë.

 

Ajo gjithashtu konfirmoi se Azerbajxhani dhe Rusia po përgatisin vizitën e ministrit të jashtëm rus në Baku.