Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka mbledhur sot Kryesinë e partisë. Meta tha se PL është në një betejë të jashtëzakonshme për të vendosur parlamentarizmin në “shinat e duhura”, ndërsa shtoi se kjo forcë politike ka marrë përsipër shumë nisma ligjore, por se disa prej tyre janë bllokuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij.

Kjo pasi sipas tij prioritet i tyre është integrimi i vendit në BE, që “bie ndesh me interesat e Rilindjes”.

“PL betejë të jashtëzakonshme për të vendosur parlamentarizmin në shinat e duhura. Jemi forcë politike që ka paraqitur shumë nisma ligjore në interes të qytetarëve, sipërmarrësve, dhe shumë iniciativa të tjera të cilat mbahen të bllokuara nga banda e Rilindjes.

Arsyeja dihet, PL si forcë e përkushtuar për integrimin  e vendit në BE, cënon interesat e Rilindjes, që vetëm integrimin nuk e ka prioritet, sepse e pengon për të arritur këto nivele të korrupsionit përmes bllokimit të llogaridhënies.

Ndaj nuk është rastësi dhe vendimi i fundit që morën ministrat e financave të BE për të rikthyer Shqipërinë në monitorim për sa i përket regjimt fiskal, për hapat pas që janë bërë, por dhe insistimit për amnistinë fiskale”, u shpreh ai.