Është zbardhur dëshmia që Shefki Bylykbashi, 77-vjeçari që vrau të birin në Maliq ka dhënë para autoriteteve.

 

Mësohet se në gjendje të rënduar psikologjike, ai ka pranuar vrasjen e të birit.

I moshuari ka deklaruar se fakti që 50-vjeçari vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, ka bërë që të konfliktoheshin ditën e djeshme.

“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më.”

 

Sipas informacioneve, viktima Hamdi Bylykbashi ishte djali i vetëm i familjes, me 5 motra. 50-vjeçari ishte martuar dhe divorcuar dy herë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e shtëpisë. Pas një konflikti me të atin, 50-vjeçari ka dashur ta hedhë atë në pusin e ujit në oborr. Për pasojë 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç që e përdorte për të thyer gurë. Për shkak të plagëve të marra, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit në spitalin e Korçës