Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili mori pjesë në konventën e thirrur nga grupimi “Dhjetor ’90” për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë,  tha se revolucioni i vitit ’90, ishte revolucion për vokacionin perëndimor të kombit.

 

“Para se ju të mendonit të rrëmbenit armët, ju vendosët vetëflijimin në një akt madhështor sa vetë historia. U ngujuat për të shpëtuar universitetin tuaj dhe shqiptarët nga kulti i satanit të Enver Hoxhës. U ngujuat në një grevë me vendosmëri ekstreme dhe ia dolët që Shqipëria të vërshojë drejt jush dhe të përmbysë bustin e diktatorit. Ky revolucion njohu uljet dhe ngritjet, por përmbysi me votën e lirë diktaturën staliniste. Cilat ishin tiparet e revolucionit që ju bëtë dhe drejtuat? Ishin të ngjashme me revolucione të tjera të vendeve ish-komuniste, por edhe dallonin me shumë prej tyre. Të gjitha ishin revolucione që përmbysën klikat komuniste, por asnjë vend tjetër, asnjë rini tjetër, asnjë revolucion tjetër nuk operoi si ne në kushtet e një izolimi të plotë dhe total”, tha Berisha.

 

Ai theksoi se, disidencat kalonin nga njëri vend në tjetrin, lëvizjet ndiqnin njëra-tjetrën në vendet lindore, kurse në Shqipëri, pasi përcolli kryengritësit e 2 korrikut nëpër botë, Ramiz Alia arriti të rivendosë përsëri Perden e Hekurt.

 

“Pra, ishte një revolucion në kushtet e një izolimi të plotë. Ky revolucion ishte revolucion për vokacionin perëndimor të kombit. Kombet e tjera, sado që në diktaturë nuk kishin njohur izolimin që njohën shqiptarët, nuk u shkëputën nga qytetërimi evropian, pati kufizime, por jo shkëputje. Kishte prej tyre që lëviznin pa viza ose me një sistem fare liberal vizash. Kurse në Shqipëri, viza ishte tmerr dhe ferr”, theksoi ai.

 

Në kushtet tona, vuri në dukje Berisha, ia dolëm të çajmë edhe këtë izolim. “Ne ia dolëm me ato parime të ecim drejt të ardhmes. Flamujt që valëvitëm në 90-tën ishte flamuri amerikan, parullat e studentëve ishin “Xhorxh Bush””, tha ai.

 

Në konventën e grupimit “Dhjetor ‘90” janë në garë për kryetar 4 kandidatë. Për 25 anëtarë të kryesisë kandidojnë 60 përfaqësues.