Është prekëse historia e një babai që pa vajzën e tij për herë të parë të premten e 17 shkurtit, kur mbeti i bllokuar nën rrënojat e një qendre shëndetësore në Antioki të Turqisë, së bashku me një burrë tjetër. Të dy kundër të gjitha gjasave arritën të qëndronin gjallë derisa ekipet e shpëtimit i liruan të premten. Kështu Mustafa Avtzi ka arritur të shohë për herë të parë vajzën e tij të porsalindur.

33-vjeçari është shtrirë në shtratin e spitalit me tuba mjekësorë të lidhur dhe me gjithë rraskapitjen e tij po merr forcë duke përqafuar vajzën e porsalindur.

Ndërkohë, pamjet e pabesueshme nga shpëtimi i tij në provincën Hatay treguan se si ai ishte ende në gjendje të fliste në telefon ndërsa ishte i mbështjellë me një batanije termike dhe me një jakë rreth qafës. Madje, në një video ai dëgjohet duke folur i emocionuar me një të afërm.

“Fahri si je? Si je vëlla”, dëgjohet duke pyetur 33-vjeçari. “Unë jam mire. Nuk kam problem. Unë mendoj se jam në spital. Ata do të më drejtojnë ku është më mirë. Nuk kam problem”, i thotë Avci burrit, i cili dëgjohet duke qarë në anën tjetër të telefonit.

“Çfarë po bëjnë prindërit e mi? A janë shpëtuar të gjithë?’ pyet Avci. “Ata janë të gjithë mirë. Të presin”, i përgjigjet i afërmi, teksa Avci puth dorën e shpëtimtarit që mban telefonin duke e falënderuar. “Zoti të bekoftë një mijë herë o vëlla! Zoti ju ndihmoftë gjithmonë në raste nevoje!” i thotë burrit 33-vjeçari.