Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Marrëveshja e Brukselit është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës, “duke u bërë kështu obligim juridik ndërkombëtar për Kosovën”.

“Ne e kuptojmë se kjo çështje është e ndjeshme për Qeverinë e Kosovës, por obligimet duhet të përmbushen”, ka thënë Lajçak për një media serbe, duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk është formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka thënë se “qëndrimi i BE-së dhe i SHBA-së dhe i partnerëve të tjerë ndërkombëtarë është se çdo vonesë e mëtejshme është e papranueshme”. Ai ka theksuar se prioritet është që Kosova dhe Serbia të pajtohen për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

“Së pari, prioritet është që të dyja palët të bien dakord për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Së dyti, ne vazhdojmë të punojmë paralelisht për të siguruar zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha elementeve të asaj që është rënë dakord deri më tani në dialog që mbeten të vlefshme dhe janë të detyrueshme për të dyja palët.”, ka thënë Lajçak.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç takimin e radhës në Bruksel, të thirrur nga BE, do ta zhvillojnë më 27 shkurt.