Në drejtimin e kryetarit Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e tij të radhës dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës mori në shqyrtim dhe miratoi parimit projektligjin “Për Fondet e Pensionit Privat”.

 

Të ftuar në mbledhje për prezantimin e projektligjit ishin Olta Manjani, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si dhe stafi teknik i MFE-së dhe AMF-së.

 

Projektligji u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, i cili u ndal tek nevoja e hartimit dhe risitë e tij, duke parashtruar se nisma synon përafrimin e kuadrit aktual me legjislacionin dhe direktivat evropiane, por edhe t’i japë një ritëm të ri zhvillimi tregut të fondeve të pensioneve private.

 

“Objektivat kryesore që synohet të arrihen janë mbrojtja e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat, nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta për mirinformim dhe transparencë, nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet përfshirjes automatike, si dhe rishikimit të politikës tatimore me synim krijimin e lehtësirave fiskale, forcimi i kuadrit mbikëqyrës e rregullator, si edhe rritja e profesionalizimit në administrimin e fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese,” u shpreh Mete.

 

Më tej Mete informoi deputetët se përgjatë raportimeve që po zhvillohen në kuadër të procesit të integrimit në Komisionin Evropian, një nga sektorët e prezantuar për Kapitullin 9 “Shërbimet financiare” ishte pensionet vullnetare, u vlerësua se drafti përafron në mënyrë të gjera Direktivën e BE për këtë çështje.

 

Ndër risitë e projektligjit, Mete renditi përmirësime në procedurën e licencimit të shoqërisë administruese të fondeve të pensionit, forcimin e rregullave të qeverisjes së shoqërive administruese, forcimin e funksionit të menaxhimit të rrezikut apo menaxhimit të kontrollit të brendshëm, si dhe forcimin e rregullave për transparencën dhe komunikimin me klientin në funksion të mbrojtjes së interesave të tij dhe nxitjes së besimit për pjesëmarrje në fondin privat të pensionit.

 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim projektligjin dhe vendosi vijimin e shqyrtimit të tij në mbledhjet e radhës.