Gati 1 milion njerëz kërkuan mbrojtje ndërkombëtare në Bashkimin Evropian në vitin 2022, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën, duke e çuar numrin e kërkesave për azil në një nivel të paparë që nga kriza e refugjatëve e viteve 2015-2016, njofton AP.

 

Agjencia e BE-së për azilin tha se 966,000 kërkesa për azil janë bërë në 27 vendet e BE-së, si dhe në Norvegji dhe Zvicër vitin e kaluar, 50% më shumë nga viti 2021.Kjo nuk përfshin më shumë se 4 milionë refugjatë ukrainas të cilëve iu dha mbrojtje e përkohshme në BE, një mekanizëm i posaçëm i aktivizuar për të shmangur kolapsin e sistemeve tashmë të ngecura të azilit.

 

 

Agjencia evropiane e lidhi rritjen me lehtësimin e vazhdueshëm të kufizimeve të udhëtimit nga COVID-19, me rritjen e pasigurisë ushqimore dhe konfliktet në shumë pjesë të botës.

 

Megjithëse shumica e azilkërkuesve hyjnë legalisht në BE, kryesisht me avion me viza udhëtimi, disa i kaluan gjithashtu kufijtë tokësorë dhe detarë të BE-së pa leje, kryesisht përmes Ballkanit Perëndimor dhe Mesdheut.

 

Pas më shumë se një dekade lufte dhe kolapsi ekonomik në vendin e tyre, sirianët vazhduan të jenë kombësia kryesore e azilkërkuesve në Evropë me më shumë se 130,000 aplikime. Ata u ndoqën nga afër nga afganët që iknin nga problemet në rritje të sigurisë, ato  humanitare dhe financiare që pasuan me pushtimin e talebanëve në gusht 2021, me 129,000 kërkesa.

 

Në vendin e tretë ishin aplikantët nga Turqia, të cilët u dyfishuan në numër me 55,000 kërkesa. Rritja e inflacionit dhe "rrëshqitja demokratike" ishin ndër faktorët që besohet se kanë shkaktuar rritjen, tha agjencia.

 

Në shumë vende, qendrat e pritjes janë të mbingarkuar, duke lënë azilkërkuesit në rrugë.

 

Tërmeti i fundit që vrau afro 46,000 njerëz dhe la qindra mijëra të pastrehë në Turqi dhe Siri, ka ngritur frikën për një rritje të mundshme të kalimeve të parregullta kufitare në Greqi.

 

Gjermania ofroi në fillim të këtij muaji mundësinë për të lehtësuar përkohësisht kufizimet e vizave për disa të mbijetuar nga tërmeti, ndërsa Spanja premtoi të strehonte një grup të vogël prej 100 refugjatësh sirianë nga Turqia, e cila ka pritur 4 milionë refugjatë.

 

Venezuelianët, kolumbianët, bangladeshasit dhe gjeorgjianët aplikuan për azil në një numër rekord vitin e kaluar, siç bënë marokenët, tunizianët dhe egjiptianët. Rreth 4% e azilkërkuesve në vitin 2022 pretenduan se ishin të mitur të pashoqëruar.

 

Agjencia evropiane nuk tha se cilat vende të BE-së morën më shumë aplikime vitin e kaluar. Por një raport i brendshëm i migracionit të BE-së i parë nga Associated Press rendit Gjermaninë, Francën, Spanjën, Austrinë dhe Italinë si pesë të parat.

 

Autoritetet e azilit nxorën vendime për më shumë se 600,000 aplikime vitin e kaluar, por ata morën edhe më shumë raste të reja, duke shtuar numrin ekzistues të prapambetur. Nga aplikimet e analizuara, 40% iu dha statusi i refugjatit ose mbrojtje shtesë, kryesisht për aplikantët sirianë, bjellorusë, eritreanë, jemenas dhe malianë, si dhe për shumicën e ukrainasve që zgjodhën të aplikonin për azil në vend të mbrojtjes së përkohshme.