Historitë, rrëfimet dhe përjetimet e 21 grave që kanë lindur e janë rritur në kampet e internimit në fshatrat e Lushjes vijnë në filmin dokumentar “Fluturat”. Filmi me skenar dhe regji nga Bujar Alimani u shfaq në Bruksel, por më parë është shfaqur edhe në vendin tonë. “Fluturat” është një dokumentar i plotë, mbi 90 minuta film dhe i kushtohet 21 grave dikur të lindura e rritur në internimet komuniste në fshatrat e Lushnjës, por regjisori Bujar Alimani i ka takuar në Shqipëri, SHBA, Francë, Itali e Kanada këto gra që ai ka quajtur “Fluturat”, ku më parë ka pohuar se filmi përcjell një pjesë të së vërtetës historike. “Dokumentari “Fluturat” himnizon qëndresën e heshtur të femrës së persekutuar shqiptare kundër totalitarizmit. Filmi dokumentar i përcjell publikut një pjesë të së vërtetës historike për çfarë ka ndodhur në pjesën e parrokshme të shoqërisë shqiptare në periudhën e diktaturës komuniste” , tregon ai. Filmi dokumentar u shfaq në Bruksel më 10 prill pasdite. “BUTTERFLIES në Parlamentin Europian, Bruksel. Me ftesë të eurodeputetit Olivier Chastel ( Renew Europe) dhe me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Bruksel shfaqet dokumentari “Fluturat”, i cili trajton jetën e vështirë të 21 grave të lindura dhe të rritura në regjimin komunist shqiptar”, shprehej më parë regjisori Alimani, ku dhe vetë ishte i pranishëm në Bruksel, Belgjikë me shfaqjen e filmit të tij. Në aktivitetin e tij me filmin Bujar Alimani ka sjellë dhe të tjera prodhime kinematografike, por këtë herë për dokumentarin “Fluturat” më herët ai ka rrëfyer se ideja lindi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai jeton prej disa vitesh. “Në një bisedë rastësore mësova nga një miku im me të cilin bëjmë produksione, se këto zonja një herë në disa vite vijnë në New York e ritakohen. Vijnë nga shumë vende të botës ku sot jetojnë me familjet e tyre. E mendova ide fantastike ta xhiroj këtë ditë të ritakimit të tyre, rrëfimet, mbresat dhe jetët që jetojnë sot në vendet ku jetojnë”, shprehet ai.

Materialet për dokumentarin

Filmi dokumentar po vijon të shfaqet për publikun, por siç ka pohuar më parë regjisori Alimani, ai beson se “Fluturat” ndihmon në sensibilizimin e ndërgjegjes kombëtare mbi regjimin komunist, ndërsa për të huajt, për t’u njohur me këtë pjesë të hidhur të atij realiteti. Për materialet për këtë dokumentar regjisori Bujar Alimani i është drejtuar zyrtarisht Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Regjisori Alimani ka shfrytëzuar materiale filmike dhe kronika dokumentareske, që kanë lidhje me temën e filmit si dhe materiale të ndryshëm fotografike, që vetë këto zonja disponojnë. Xhirimet e dokumentarit kanë vijuar më parë edhe në Shqipëri. Në aktivitetin e tij artistik me kinematografinë, Bujar Alimani ka realizuar disa filma me metrazh të gjatë, me metrazh të mesëm si “Vëthi i munguar”, disa filma me metrazh të shkurtër ku përmendim “Katoi”, “Gaz”, “Busulla” dhe “Një histori dashurie” apo dhe dokumentarin “Zois”. “Delegacioni” me regji prej tij më parë ishte dhe filmi, që ishte propozimi i Shqipërisë në “Oscar”.