Granit Xhaka duket sikur ka rilindur tek Arsenal. Loja e mesfushorit shqiptar ka ardhur në ngritje, duke qenë sinkron edhe me ecurinë e ekipit, që kryeson në Premier League.

 

 

 

Me ardhjen e trajnerit Mikel Arteta në krye, gjithçka ndryshoi për Xhakën, i cili ishte shumë pranë largimit, ndërsa tani është në qendër të projektit dhe shumë afër titullit të parë në Angli. Duke parë rëndësinë e 30-vjeçarit, drejtuesit e klubi londinez kanë nisur nga puna për të rinovuar kontratën e tij.

 

Xhaka ka aktualisht një kontratë të vlefshme deri në vitin 2024, ndërsa është edhe opsioni për ta rinovuar me një vit më shumë. Por, për të treguar vlerësimin dhe besimin ndaj tij, drejtuesit po përpilojnë një kontratë me terma më afatgjatë që do ta shndërronin Xhakën në një nga lojtarët më jetëgjatë me fanellën e Arsenal.

 

Mesfushori shqiptar është pjesë e anglezëve prej vitit 2016 kur u transferua nga Borussia Monchengladbach dhe në këtë sezon po kalon një formë të shkëlqyer, duke u aktivizuar në 23 ndeshje, teksa ka shënuar tre gola si dhe ka asistuar pesë herë.