Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) ka njoftuar se të paktën 44.218 njerëz kanë humbur jetën në dy tërmete të fuqishme që goditën pjesën jugore të Türkiye-s më 6 shkurt.

 

AFAD përmes një deklarate bëri të ditur se pas tërmeteve të fuqishme me epiqendër në provincën Kahramanmaraş u regjistruan gjithsej 9.136 pasgoditje.

 

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në Kahramanmaraş, goditën 10 provinca të tjera turke: Hatay, Gaziantep, Adıyaman, Diyarbakır, Adana, Kilis, Malatya, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ. Rreth 13,5 milionë njerëz janë prekur nga lëkundjet shkatërruese.

 

Ekipet e AFAD-it në zonën e tërmetit ngritën rreth 335.400 tenda që u dërguan nga ministritë dhe institucionet përkatëse, si dhe vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare.

 

Gjithashtu, bëhet e ditur se më shumë se 11.400 personel vendas dhe ndërkombëtar i kërkim-shpëtimit është duke punuar aktualisht në terren.

 

Katër qendra të lëvizshme të shërbimit social u caktuan për përpjekjet e mbështetjes psikologjike të fatkeqësive në Kahramanmaraş, Hatay, Osmaniye dhe Malatya, ku pothuajse 912.000 njerëz kanë marrë mbështetje psikosociale./AA