Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Majdiel Husa, 47-vjeçarin i cili  akuzohet se nuk tregoi për vdekjen e shokut të tij Elton Tahirit nga mbidoza e drogës, por e hodhi në përrua pasi e kishte mbajtur disa ditë në banesën e tij.

 

Sipas policisë, mbidoza e kokainës dhe heroinës i ka marrë jetën 48 vjeçarit Elton Tahiri, trupi i të cilit u gjet më 13 shkurt pranë përroit të Limuthit në Bërxullë.

 

Majdiel Husa  ishte në banesën e tij në Laprakë, bashkë me Elton Tahirin kur humbi jetën.

 

Në dëshminë para hetuesve 47-vjeçari ka thënë se kishte frikë se mos akuzohej, ndaj e mbajti disa ditë në shtëpinë e tij dhe më pas e transportoi me makinë dhe e la në përroin e Limuthit.

 

Elton Tahiri dhe Majdiel Husa kishin disa ditë që ishin deportuar së bashku nga Gjermania dhe që prej kthimit kanë qëndruar së bashku në banesën e Husës në Laprakë, pasi jetonte i vetëm dhe nuk kishte familjarë.

 

Familja e viktimës nuk ka pasur kontakte dhe nuk e dinte që ai ishte kthyer nga Gjermania.