Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka shkruar në facebook mbi mbledhjen e përbshkët që do të mbahet ditën e sotme mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze.

 

Ai tha se çdo gjë është gati për mbajtjen e mbledhjes të cilën e konsideroi me një rëndësi rajonale ku do të nënshkruhen 11 marrëveshje.

 

“Gjithçka është gati për G2G, pa dyshim ngjarje me rëndësi rajonale. Nesër mirëpresim delegacionin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i përbërë nga të gjithë ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre. Do nënshkruajmë 11 marrëveshje. Janë akredituar mbi 80 përfaqësues të mediave. Do të bëjmë çmos që të jemi më shumë se mikpritës të mirë dhe të dërgojmë një pamje të Malit të Zi ndryshe dhe modern me mbledhjën e përbashkët të dy qeverive në godinën e sapohapur të CANU-s. Po zhvillojmë një politikë të fqinjësisë së mirë dhe po dërgojmë mesazh paqeje dhe bashkëpunimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor”-shkruan Abazoviç në postimin e tij.