Rreth 2 mijë anëtarë të grupeve kriminale janë vendosur në burgun e sapondërtuar në El Savlador, i cili, si burgu më i madh në kontinentin amerikan, është ndërtuar me urdhër të presidentit të vendit, Nayib Bukele.

 

Bëhet fjalë për një burg me kapacitet deri në 40 mijë të burgosur ndërsa Bukele në Twitter deklaroi se është krenar për mënyrën se si vendi i tij udhëheq luftën dhe vepron ndaj organizatave kriminale.

"Këto do të jenë shtëpitë e tyre të reja ku do të jetojnë dhe nuk do të mund të shkaktojnë më dhimbje për njerëzit tanë", tha Bukele me pamjet që tregojnë megaburgun.

 

Ministri i Drejtësisë së El Salvadorit, Gustavo Villatoro, bëri të ditur se burgu i sapondërtuar është vënë në përdorim dhe tha se frikacakët terroristë do të paguajnë çmimin për krimet e tyre.

 

Burgu u hap zyrtarisht më 2 shkurt dhe ndodhet në një luginë në qytetin Tecoluca, i cili është 74 kilometra nga kryeqyteti San Salvador.

 

Deri më tani, El Salvadori kishte një kapacitet burgu deri në 30 mijë ndërsa kompleksi i burgut të sapondërtuar në një sipërfaqe prej 166 hektarësh është menduar për një luftë më efektive kundër grupeve kriminale, të cilat janë problemi kryesor i sigurisë në vend.

 

Vendi me numrin më të lartë të vrasjeve në botë, El Salvador, është në gjendje të jashtëzakonshme që nga fundi i marsit të vitit të kaluar, kur presidenti Bukele u shpalli luftë grupeve kriminale. Deri më tani, janë arrestuar më shumë se 58 mijë anëtarë të organizatave kriminale, përfshirë edhe famëkeqin MS13./AA