Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, theksoi se tërmetet e 6 shkurtit me epiqendër Kahramanmaraş të Türkiye-s kanë tronditur thellë vendin e tij, duke shtuar se Türkiyen e kanë mik dhe janë të gatshëm të vazhdojnë ndihmat e tyre.

 

Szijjarto, i cili qëndron në Ankara për një vizitë, pas takimit me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, mbajti një konferencë të përbashkët për media.

 

"Lajmi i tërmetit na tronditi thellë neve të gjithëve në Hungari. Sepse populli dhe kombi vëlla përjetoi një problem të madh dhe kjo na brengosi", tha ai lidhur me tërmetet në Türkiye, duke shtuar se për një kohë më të shkurtër se 24 orë kanë dërguar ndihma.

 

Ai u shpreh se në Türkiye kanë dërguar 167 pjesëtarë të kërkim-shpëtimit dhe 28 qenë dhe se ekipi hungarez ka shpëtuar 35 jetë njerëzore, ndërsa gjithashtu janë dërguar 10 tonë ndihmë mjekësore dhe humanitare me një helikopter ushtarak.

 

"Edhe në të ardhmen, planet tona të diversifikimit të gazit natyror nuk mund të jenë pa Türkiyen"

 

Duke folur rreth çështjeve të tjera, Szijjarto nënvizoi se Türkiye dhe Hungaria vazdojnë partneritetin strategjik. "Türkiye është miku i Hungarisë. Ne jemi me miqtë tanë kur ata janë në vështirësi dhe do të vazhdojmë të jemi me ta që të rinormalizohen në të ardhmen", u shpreh Szijjarto.

 

Sipas tij, nuk do të mund të garantohet siguria e furnizimit me energji pa Türkiyen.

 

"Türkiye siguron në mënyrë tranzite një pjesë të madhe të furnizimit të Hungarisë me gaz natyror. Edhe në të ardhmen, planet tona të diversifikimit të gazit natyror nuk mund të jenë pa Türkiyen. Sepse marrja e gazit natyror nga Azerbajxhani është e mundur vetëm duke kaluar në Evropën Qendrore në mënyrë tranzite përmes Türkiyes. Kanë filluar gjithashtu negociatat e drejtpërdrejta tregtare", shtoi kryediplomati hungarez.

 

Ai mes të tjerash falënderoi edhe përpjekjet e Türkiyes për ndërmjetësim lidhur me luftën Rusi-Ukrainë. "Hungaria edhe tutje do të vazhdojë të ofrojë gjithë mbështetjen për Türkiyen", tha Szijjarto.

 

Szijjarto gjithashtu vizitoi Presidencën e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD)./AA