Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se, ky projektligj ka si qëllim krijimin e një shoqërie shtetërore për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, si dhe përcaktimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë së saj.

Gjithashtu, ky projektligj ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë KAYO sh.a.

Nëpërmjet kësaj nisme bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare më të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar.

Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, – në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s.

Gjithashtu, ky proces ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat.

Me anë të kësaj nisme ndërmerret hapi i parë drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake. Në këtë mënyrë, Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në argumentimin e projektaktit lidhur me përparësitë, problematikat dhe efektet e pritshme thuhet se, Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të FARSH-it.

Prej vitesh këto kërkesa dhe nevoja plotësohen në tregun ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, dinamika gjeopolitike e dy viteve të fundit ka sfiduar bazën industriale globale të mbrojtjes, duke shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, mungesë të fuqisë punëtore, shoqëruar kjo edhe me një kërkesë tepër të lartë globale për sisteme armatimesh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm.

Shqipëria, ashtu edhe si të gjitha vendet e tjera aleate, ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime, për t’iu përgjigjur ndryshimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe mbështetur ekzekutimin e “familjes së planeve” të shkurajimit dhe mbrojtjes në zonën euroatlantike.

Përveç një detyrimi të tillë, për kushtet aktuale, angazhimi në fuqizimin e një industrie të tillë dhe aftësia për të qenë konkurrent në këtë treg, mund të konsiderohet edhe si një aktivitet fitimprurës për ekonominë e vendit.

Në këtë mënyrë, përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara, sikurse edhe integrimi në proceset e punës edhe i teknologjive të reja dhe inovacioneve.

Shqipëria rrjedhimisht do të ndërtojë një efekt parandalimi, duke rritur pozicionimin strategjik në rajon. Paralelisht kjo do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë industrinë e mbrojtjes një motor mbështetës për përparimin.

Shoqëria shtetërore që synohet të krijohet më këtë projektligj, do të ketë të gjitha kapacitetet e saj juridike dhe financiare për të funksionuar në përputhje me objektivat që i cakton ky projektligj për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Si përfundim, synimi strategjik për modernizimin e industrisë së mbrojtjes në përputhshmëri me standardet e NATO-s është jo vetëm i nevojshëm për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, por edhe për të forcuar pozicionin strategjik të vendit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Ringritja e industrisë ushtarake në vend do të kërkojë një qasje të integruar dhe të koordinuar që adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale.

Për këtë arsye, krijimi i një shoqërie shtetërore që do të funksionojë sipas legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare, sikurse dhe dispozitave të këtij ligji, është hapi i parë i nevojshëm për përmbushjen e një synimi strategjik të tillë.

Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë./ata