Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka dorëzuar një amendament në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me anë të të cilit kërkon shpalljen e burgut të Burrelit, Muze Kombëtar.

 

Në amendament, thuhet se për shkak të historisë së këtij burgu, një dëshmi e gjallë e kalvarit të vuajtjeve të të dënuarve politikë, ai duhet shpallur muze kombëtar.

 

Deputetja e PD-së Çupi argumenton se duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të projektligjit për shpalljen muze kombëtar të kampit të punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampit të internimit në Tepelenë, nëpërmjet këtij amendamenti synohet që listës së muzeve kombëtarë t’i shtohet edhe burgu i Burrelit, i cili për 44 vite ka shërbyer si burg politik i regjimit komunist.

 

“Sipas të dhënave historike, burgu i Burrelit nisi ndërtimin nga fundi i vitit 1938. Fillimisht, u përdor si depo grumbullimi kryesisht nga administrata e luftës. Ndërkohë, nga viti 1946 e në vijim është përdorur për burgosjen e dënuarve politikë, që regjimi komunist i konsideronte si kundërshtarët më të rrezikshëm të tij. Ky burg njihej për kushtet e vështira dhe egërsinë me të cilën sillej administrate ndaj të burgosurve. Madje, një nga motot e të burgosurve lidhur me këtë burg ishte: “Këtu i thonë Burrel, hyn dhe nuk del”. Ngritja e këtij muzeu i shërben jo vetëm kujtesës historike për brezat e tashëm e të ardhshëm, por edhe nderimit të sakrificave e kujtimit të atyre qindra të burgosurve që kaluan vuajtjet më të tmerrshme, vetëm sepse kishin zgjedhur të mos nënshtroheshin, duke iu qëndruar besnik bindjeve të tyre deri në fund”, shprehet Çupi.

 

Historia e ish-burgut të Burrelit, sot burgu “Adem Allçi”

 

Burgu i Burrelit, një ndër më të vjetrit në Shqipëri, është ndërtuar gjatë kohës kur mbretëronte Ahmet Zogu, por dhe burgu i konsideruar si ferri për të burgosurit politikë.

 

Ky burg është ndërtuar në vitin 1938, dhe shiriti i përurimit të tij është prerë nga kryeministri i kohës, Koço Kota, për të cilin, për ironi të fatit, ky burg do të bëhej edhe varri i tij. Vetëm pak vite më pas, kur ky burg u mor në dorëzim nga fitimtarët e luftës nacionalçlirimtare, ish-kryeministri Kota është vrarë, pas dënimit që mori në këtë burg.

 

Mbreti Zog e kishte projektuar për kriminelë ordinerë me rrezikshmëri të lartë dhe me këtë justifikohen masat e larta të sigurisë në ndërtimin e tij.

 

Burgu i Burrelit ndodhet në skajin lindor të qytetit, vetëm pak metra larg godinës së Komisariatit të Policisë, duke krijuar një lidhje mes uniformave të dy institucioneve, që në fakt kanë varësinë nga dy ministri të ndryshme. Shumë pranë godinës së komisariatit të shfaqet rrethimi i telave me gjemba, rreth 5 metra i lartë, një zonë e zbuluar dhe mjaft e kontrollueshme edhe nga jashtë.

 

Burgu  i nëndheshëm, me lagështirë të vazhdueshme dhe në temperatura në dimër që shkojnë -20 gradë Celsius, qelitë janë të padurueshme, një ferr i vërtetë, siç e përshkruajnë të burgosurit politike që janë ende gjallë. Në këtë burg për 40 vite me radhë janë mbajtur në qelitë e tij të dënuar, të cilët kishin tradhtuar interesat e Atdheut, nisur nga pikëvështrimi dhe rregullat e atij sistemi, janë torturuar, vrarë natën në fshehtësi, madje dhe mbytur me injeksion me ujë.

 

Burgu i tmerrshëm i Burrelit do të bëhej ferri i vërtetë për mijëra të burgosur politikë, për të cilët jo vetëm për arsye sigurie ishte zgjedhur Burreli, por edhe për kushtet e vështira dhe qelitë pa dritë e gjithë lagështirë.

 

Ky burg ishte makthi i vërtetë, me tortura dhe izolim të zgjatur, ku kanë vuajtur dënimin mijëra shqiptarë, intelektualë dhe klerikë nga më të ndriturit e kombit, madje edhe klerikët e shenjtëruar kanë qenë për vite me radhë në këto qeli, apo në burgun e ferrit, siç edhe vetë e kanë quajtur të burgosurit që mundën të mbijetojnë dhe janë ende gjallë.

 

Një gropë gjigante pas burgut shërbeu si varr masiv. Në anë të gropës nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një qershie që u bë simboli i vdekjes, ishte një kodrine me shkurrnajë, një baltë e kuqe dhe gjithë gurishtë.

 

Një metodë e lashtë u përdor për të zhdukur gjurmët e krimit nga gëlqerja. Për të zhdukur kufomat, punonjësit e burgut të Burrelit hidhnin mbi kufoma gëlqere, nga e cila shkriheshin.

 

Sipas të dhënave, në burgun e Burrelit që nga 1946-a deri në 1990-n kanë vdekur rreth 400 të burgosur. Slogani i burgut të Burreli nga diktatura “Këtu i thonë Burrel, hyn dhe nuk del”./ATSH