Arkivi Shtetëror publikon biografinë e një kleriku të madh musliman, pak të njohur, një Myfti që në termat e sotëm politikë, në fillimet e shtetit shqiptar, më saktë pas Kongresit të Lushnjës, ishte me rol kryeparlanentari.

 

Madje Xhemal Naipi do ishte dhe kreu i Legalitetit për një kohë.

 

Siç informon Arkivi, frymën e fundit e dha në burgun e Burrelit.

 

“Si sot, më 1 mars të vitit 1889, u lind në Shkodër myftiu Xhemal Naipi.

 

Në vendlindje kreu arsimin fillor e të mesëm, ndërsa u zhvendos drejt Stambollit për të ndjekur studimet e larta në teologji e jurisprudencë. Në mjedisin universitar frekuentonte rregullisht bibliotekat e pasura, duke kultivuar kështu njohuri të gjera mbi kulturën e lindjes.

 

Pas përfundimit të detyrimeve akademike, u kthye në Shkodër, ku nisi të shërbente si kadi. Në vitin 1916, u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve. Naipi, krahas angazhimit klerikal, radhitej mes figurave protagoniste të ngjarjeve më të rëndësishme në shkallë kombëtare, duke nisur nga shpallja e Pavarësisë e deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

 

Në pranverën e vitit 1920, ushtroi funksionet e Kryetarit të Këshillit Kombëtar (Senatit), të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Qe ligjvënës përfaqësues i Shkodrës gjatë kohës së Mbretërisë. Për aktivitetin e tij atdhetar në zhvillimet e luftës, u cilësua anti-italian dhe u internua në Ceresara të Mantovës, ku u mbajt deri në vitin 1942.

 

Në kthim, u zgjodh Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit. Me instalimin e regjimit totalitar, familja Naipi u internua në Berat. Më 7 tetor 1946, Naipi u arrestua dhe u deklarua nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës, fajtor për ‘pjesëmarrje në organizatë, e cila ushtronte aktivitet kundër pushtetit popullor’ dhe për ‘agjitacion e propagandë kundër pushtetit’. Për këto akuza, u dënua me burgim të përjetshëm, iu konfiskua pasuria e tundshme dhe e patundshme, si edhe humbi çdo të drejtë civile.

 

Naipi ndërroi jetë në vitin 1955, në burgun e Burrelit. Në shenjë vlerësimi të kontriubutit të tij në çështjet kombëtare, u dekorua nga Presidenti i Republikës me urdhrin ‘Për Veprimtari Patriotike të Klasit I’, me rastin e 75-vjetorit të Kongresit të Lushnjës”, është ajo çfarë shkruan Arkivi për këtë figurë. /tesheshi.com/