Bilanci tragjik i aksidentit më të madh hekurudhor në Greqi ka shkuar tashmë në 57 të vdekur.

 

 

Midis tyre mbetet vetëm për tu konfirmuar zyrtarisht ndodhen të paktën edhe tre shtetas shqiptarë që konsideroheshin të humbur.

 

Gjatë gjithë natës ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë dëshpërimisht mes llamarinave të djegura dhe mbeturinave në vagonat e shkatërruar të trenit të pasagjerërve që është përplasur pak pas mesnatës të së martës me një tren mallrash disa km larg qytetit të Larisës. Në orët e para të mëngjesit kanë filluar të punojnë edhe vinçat gjigandë që të lëvizin pjesët e dëmtuara sidomos në vagonin e restorantit ku janë gjetur 14 persona prej të ciëve 7 janë tërësiht të karbonizuar.

 

 

Të plagosurit janë 57. Midis 6 prej tyre, që vazhdojnë të luftojnë me vdekjen në Repartin e Mjekimit Intensiv të intubuar, janë dy shtetas shqiptarë Roberto Dristi 25 vjeç që ka thyerje në shumë pjesë të trupit dhe Anisa Liuri 23 vjeçe, që kurohet me djegie dhe pritet të dërgohet në një spital të Selanikut më të specifikuar. Shumica e viktimave që nuk janë identifikuar, janë të rinj të moshës 20 deri në 30 vjeç.

 

Para spitalit në Larisa ku janë dërguar trupat e viktimave vazhdojnë të vijnë prindër dhe të afërm të dëshpëruar pasi nuk mund të gjejnë të dashurit e tyre dhe po i nënshtrohen testit të ADN-së për të identifikuar personat që kanë humbur jetën. Informacione të pakonfirmuara flasin për të paktën 11 persona që konsiderohen të humbur .

 

Ndërsa vendi ndodhet në ditën e dytë të zisë kombëtare që ka shpallur kryeministri i vendit ,përgjegjësi i stacionit të Larisës që është arrestuar dje dhe që përballet me akuza të rënda deponon sot para prokurit . Gjithashtu në vendngjarjen e tragjedisë do të kryhet autopsia e aksidentit nga Policia Rrugore e Larisës.

 

Qeveria greke është zotuar se do të jepen përgjegjësitë për këtë ngjarje fatale dhe ka njoftuar ngritjen e një autoriteti të pavarur që do të shqyrtojë shkaqet e tragjedisë si dhe vonesat kronike të projekteve hekurudhore.

 

Nga ana e tyre partitë opozitare deklarojnë se kryeministri dhe qeveria e tij po mundohen tja hedhin fajin vetëm një njeriu duke e konsideruar gjithë aksidentin si një gabim njerëzor, ndërkohë që shkaqet janë shumë më të thella dhe e kanë burimin në neglizhenca e gabime shumëvjeçare.

 

Sa u përket viktimave qeveria greke ka deklaruar se do të marrë përsipër shpenzimet publike të varrimeve të tyre, ndërsa ka ofruar grupe psikologësh pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë aksident.

 

Në zi të rëndë është edhe komuniteti universitar. Të gjitha universitetet kanë shtyrë aktivitetet e tyre të planifikuara ,ndërsa studentët sensibilizojnë opinionin publik për dhurim gjaku. Në shenjë proteste për aksidentin tragjik përveç Federatës Panhelene Hekurudhave ka shpallur grevë edhe personeli i metrosë në Athinë, ndërsa tubime të reja janë planifikuar pasdite nga sindikata dhe shoqata studentore jashtë zyrave të kompanisë së trenave Hellenic Train në Athinë./TCH