Kryeministri Rama ka bërë thirrje edhe një herë sot që drejtësia të reagojë për provat e reja që kanë dalë për 21 janarin. Ai shkruan se vrasësit janë ende të lirë dhe disa prej tyre në rolet më të rëndësishme në vend. 

 

 

Kryeministri shkruan në Fecebook se drejtësia e re duhet ta kishte nisur jetën e vet bash tek ky gur i përgjakur dhe se SPAK jo vetëm nuk u kthye tek vendi i këtij krimi po bëri sikur s’kishte asnjë lidhje

Postimi i plotë i Ramës

 

A KA MË KU TË RRIJË që teksa së fundmi, doli edhe një tjetër material, autentik, brutalisht rrënqethës, për vrasjen me paramendim dhe gjakakullsi kriminale, me pushkët e shtetit, të katër qytetarëve të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm për askënd, vrasësit e tyre vazhdojnë jo vetëm të enden të lirë, po luajnë edhe role nga më të rëndësishmet në jetën e vendit?!

 

Hapjen e zjarrit me plumba luftarakë mbi një turmë, sistemi demokratik nuk e njeh si të drejtë të shtetit, po e konsideron krim të rëndë dhe në historinë e Europës së të paktën 100 vjetëve të fundit, përfshirë edhe Europën e Luftës së Ftohtë, Shqipëria demokratike është i vetmi vend ku është hapur zjarr luftarak mbi turmë. Zjarr luftarak vdekjeprurës i pahetuar, i pagjykuar dhe sigurisht i pandëshkuar prej 12 vjetësh! Një proces farsë mbi këtë krim shtetëror të paparë e të padëgjuar në historinë e Europës, anashkaloi totalisht të vërtetën ulëritëse të një vrasjeje me paramendim, madje të paralajmëruar e të paspranuar me arrogancën më poshtëruese nga urdhëruesit.

 

Drejtësia e vjetër, e kalbur dhe e nënshtruar, rivrau katër të vrarët, shkeli egërsisht mbi plagët e familjeve të tyre, përdhunoi pashpirtësisht jetimët e katër baballarëve, duke u mohuar barazinë para ligjit dhe duke u dhënë shqiptarëve mesazhin më të hidhur, e më dekurajues të mundshëm për drejtësinë e pabarabartë në atdheun e tyre.

 

Drejtësia e re, me institucionin e saj kyç, të krijuar enkas nga një vullnet i fortë popullor e politik, kombëtar e ndërkombëtar, për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, e cila duhet ta kishte nisur jetën e vet bash tek ky gur i përgjakur i themeleve të shembura të barazisë para ligjit të këtij vendi, jo vetëm nuk u kthye tek vendi i këtij krimi me pasoja tmerrsisht deformuese, të thella e afatgjata, për kulturën politike e demokratike të Shqipërisë, po bëri sikur s’kishte asnjë lidhje me të, pavarësisht se një prej motiveve më të forta të mbështetjes masive popullore të reformës në drejtësi (prej ku lindi edhe vetë SPAK-u si mishërim i një shprese të madhe) ishte pikërisht nevoja kombëtare për drejtësi për 21 janarin. Ky është sot edhe një nga motivet kryesore të zhgënjimit popullor nga reforma në drejtësi - kush i mohon apo i ve në diskutim si të parën edhe të dytën, nuk e kupton ose nuk do që ta kuptojë thelbin dhe konseguencat historike mbi shtetin e së drejtës, të veprimit apo mosveprimit të ilaçit të drejtësisë për plagën tragjike të 21 janarit.

 

Lajmi i mirë gjithësesi është se për drejtësinë nuk është kurrë vonë. Dhe pavarësisht se krimi makabër i 21 janarit s’ka pasur nevojë për prova të reja, me provat e reja të javëve të fundit, e sidomos me audioregjistrimin tronditës të publikuar ditët e fundit, moskthimi pa humbur më kohë i drejtësisë së re në vendin e krimit të 12 vjetëve më parë, do të ishte konfirmimi dramatik i nënshtrimit të saj ndaj inercisë së neveritshme të drejtësisë së vjetër. Dhëntë Zoti jo!