Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku daja plagosi me thikë nipin e tij. Autori i ngjarjes është 78-vjeçari Zyhdi Shpejtimi, ndërsa i plagosuri është identifikuar si Bledar Trashani, 44 vjeç.

 

I moshuari ka deklaruar se e qëlloi nipin me thikë për shkak se dyshonte se i ngacmonte gruan. Nipi e ka sqaruar se ky pretendim është absurd, por daja nuk është bindur dhe në gjendje të dehur ka marrë një thikë në shtëpinë e tij dhe ka plagosur rëndë 44-vjeçarin Trashani.

 

Trashani ka marrë një plagë të rëndë në bark duke i dëmtuar disa organe dhe duke e detyruar t’i nënshtrohet një operacioni të vështirë.  44-vjeçari i plagosur ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Shkodrës në sallën e reanimacionit. Edhe pse për momentin gjendja e tij është e stabilizuar ende, ai nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.

 

Ndërkohë, Zyhdi Shpejtimi, pas kësaj ngjarje është i dyshuar për veprën penale “vrasja e mbetur në tentativë”. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje mes të afërmve.