Është zhvilluar në Tiranë, edicioni i 22-të i Kampionatit i Kombëtar të Dancit Sportiv & International Open Grand Prix Albania 2024.

Në kompeticion morën pjesë mbi 600 sportistë nga shoqatat dhe ekipet sportive të dancit sportiv nga Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora, Lezha, Lushnja, Korça, Kruja, Elbasani, Kavaja, Pogradeci si dhe sportistë nga vende të ndryshme, si Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mal i Zi, Gjermania e Kosova.

Gjithashtu ishin të pranishëm grupe dhe formacione në disiplinat më të spikatura në të gjithë grupmoshat sipas klasifikimit të rregullores së kompeticioneve të WDSF dhe Albanian Dance Sport Federation Academy. Publiku ka mundur të shohë garë dhe spektakël njëkohësisht, në kompleksin olimpik “Feti Borova” në Tiranë.

Organizatore e këtij eventi ishte Federata Shqiptare e Dancit Sportiv, anëtare e KOKSH-it dhe Federatës Botërore të Dancit Sportiv (WDSF).

Me moton “Danci sportiv, një urë komunikimi që na bashkon të gjithëve në familjen e madhe të sporteve olimpike”, eventi përmblidhte disiplinat: Standard & Latin Dance/Breaking Sport Olimpik/-Hip Hop/modern/Smooth/Stage Dance/Rhythm/Urban/Performing etj.

Garuesit janë gjykuar nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga 12 gjyqtarë të nominuar nga FSHDS me licensë të WDSF dhe të FSHDS. Fitues është shpallur ansambli shqiptar “Albanopolis”./ata