Mozaiku i Tiranës shumë shpejt do të kthehet në një nga destinacionet më të vizituara të kryeqytetit.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen te Mozaiku i Tiranës, ku do të zbulohen copëza të historisë, përmes mozaikëve të rrallë të antikitetit.

 

Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

 

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme.

 

Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

 

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës.

 

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh./ATSH