Policia Kufitare e Durrësit iu erdhi në ndihmë 2 shtetasve, pjesëtarë të ekuipazhit të një mjeti lundrues (cisternë uji) të cilëve po iu rrezikohej jeta në det, për shkak të dallgëve të larta dhe erës së fortë.

 

Policia e Shtetit njoftoi se salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u njoftua se për shkak të një defekti teknik, një mjet lundrues (cisternë uji) kishte ndaluar lëvizjen në det dhe se 2 pjesëtarëve të ekuipazhit të tij po iu rrezikohej jeta, nga dallgët e larta të detit dhe era e fortë.

 

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, organizuan punën me qëllim ardhjen në ndihmë shtetasve J. A., 27 vjeç dhe M. T., 64 vjeç, të dy banues në Durrës, pjesëtarë të ekuipazhit të një mjeti lundrues (cisternë uji).

 

“Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe angazhimit profesional të punonjësve të Policisë Kufitare, me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur nxjerrja në breg të detit, e të dy shtetasve, në gjendje të mirë shëndetësore.Ndërsa mjeti lundrues (cisternë uji) që tërhiqej nga një mjet rimorkiator, me qëllim kryerjen e furnizimit me ujë, sipas kërkesës së paraqitur për furnizim bordi me ujë në një anije, u fundos për shkak të dallgëve të larta”, thuhet në njoftim.