Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh sot se, “zhvillimi i shpejtë i Aviacionit Civil në vendin tonë ka nxjerrë nevojën për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Ndaj do të krijojmë Akademinë Ajrore me fokus rritjen e kapaciteteve njerëzore për të gjithë industrinë e Aviacionit Civil”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, për projektligjin që ka të bëjë me aviacionin civil, Balluku tha se, “një strategji kombëtare që kemi nisur në 2019, është ajo që sot po zbatohet dhe të gjitha arritjet kanë qenë të parashikuara dhe të arritura sipas kësaj strategjie”.

Bulluku u ndal në treguesit e këtij sektori.

“Trafiku ajror në Shqipëri ka një rritje progresive, numri i fluturimeve parashikohet të rritet me 10% gjatë vitit 2024, krahasuar me 2023 dhe 55% krahasuar me 2019, si viti i fundit normal para pandemisë. Shqipëria gjatë vitit 2023 u rendit ndër vendet e para në Europë për rikuperimin e trafikut, me një rritje 31%. Parashikimi për 2024 tregon për një rritje me 32 % të fluturime terminale krahasuar me 2023″.

Ajo gjithashtu solli në vëmendje disa projekte të rëndësishme që përfshijnë aeroportin e Vlorës, si edhe atë të Gjirokastrës. Më tej, ajo shtoi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madhi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Po punojmë me ritme të shtuara që të nisim operimet në pranverën e 2025-ës, në një tjetër aeroport ndërkombëtar në jug të vendit, në Aeroportin e Vlorës. Në dhjetor 2024 ne mbyllim të gjitha punimet civile dhe hapim procesin e licencimit të aeroportit të Vlorës, që do të jetë më i madhi në Ballkanin Perendimor, duke e çuar Shqipërinë në një hap drejt fluturimeve transoqeanike”, tha Balluku.

“Shumë shpejt do të nisim procedurat për garën ndërkombëtare dhe ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës, duke e bërë vendin tonë me 4 aeroporte ndërkombëtare nga jugu, në veri të vendit. Ndërsa investime të reja parashikohen për mirëmbajtjen e avionëve apo dhe hangarët”, u shpreh Balluku./ata