Strukturat akomoduese, bar-restorantet, agroturizmat, bizneset e dhënies së makinave apo ambienteve me qira, transporti qytetas e ndërqytetës dhe shërbimet e plazhit, do të jenë në lupën e tatimeve për të shmangur abuzimet. Në një letër dërguar bizneseve Administrata Tatimore apelon për përmbushje të detyrimeve tatimore dhe deklarim real.

Duke qenë se një pjesë e mirë e bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit, janë sezonalë dhe po ashtu punonjësit, deklarimi i punonjësve dhe i pagave jo gjithmonë është real. Për këtë arsye në letrën e tatimeve bizneseve u kërkohet deklarimi real i pagave dhe i punonjësve. Tatimet kërkojnë që për aq muaj se do punojnë punëtorët të deklarohen, pra të sigurohen dhe pagat e tyre të kalojnë në bankë të plota.

Po ashtu thuhet se tatimpaguesit të lëshojnë fatura të fiskalizuara, të furnizohen me mallra me faturë të rregullt, të përdorin vetëm softuerët e certifikuara të fiskalizimit, si dhe të deklarojnë saktë kontratave të qiramarrjes së ambienteve.
Më tej në letrën e dërguar tatimet sqarojnë se disponojnë të dhëna për këto sipërmarrje, të marra nga deklaratat dhe faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, ajo që furnitorët deklarojnë për furnizime mallrash dhe shërbimesh, si dhe të dhëna nga palë të treta si agjenci shtetërore dhe platforma ndërkombëtare ndër to edhe Booking, AirBNB apo Google.

Nëse subjektet nuk respektojnë këto detyrime dhe tatimet kanë indicie që po bëhet evazion këto biznese kategorizon me risk, ndaj të cilëve ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese në terren e deri tek masat ndëshkuese./Shqiptarja