Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) dha kontribut prej 10 000 dollarësh për familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi.

 

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, priti në takim kryetarin e Shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj dhe disa prej anëtarëve të kësaj shoqate.

 

Gjatë takimit, Rrumbullaku njohu të pranishmit, me proceset reformuese që po kalon Policia e Shtetit, si edhe me rezultatet në luftën kundër krimit, duke mos lënë mënjanë vendosmërinë për të ndëshkuar cilindo punonjës nga radhët e Policisë që tenton të abuzojë me detyrën, duke cenuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

 

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me praninë e familjarëve të Dëshmorit të Policisë Allaman Dervishi dhe të drejtuesve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi Shametajn për solidaritetin e treguar në mënyrë të vazhdueshme për familjarët e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

 

“Vlerësoj shumë humanizmin tuaj dhe të anëtarëve të shoqatës, kontributin për të mbështetur dhe për të ndihmuar sadopak familjarët e Dëshmorëve të Policisë. Angazhimi juaj për rritjen e imazhit të Policisë së Shtetit në SHBA, është shumë i nevojshëm për ne dhe për këtë ju jam mirënjohës në emër të Policisë së Shtetit”, tha Rrumbullaku.

 

Elton Shametaj u shpreh se, “ne ndihemi krenarë që kontribuojmë për imazhin e Policisë së vendit tonë. Pavarësisht se ne jetojmë dhe punojmë në SHBA, e ndiejmë detyrë dhe mision të përkrahim vendin tonë. Sot jemi këtu për t’i dhuruar familjarëve të njërit prej Dëshmorëve të Policisë, një çek me kontributin e të gjithë Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit. Dëshmorët e Policisë janë burim frymëzimi, akti i tyre sublim përbën obligim për të gjithë ne që të kujdesemi dhe të ndihmojmë familjarët e tyre”.

 

Në shenjë të këtij solidariteti, kryetari i Shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj i ka dorëzuar familjarëve të Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi çekun prej 10 000 dollarësh.

 

Familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi falënderuan përfaqësuesit e shoqatës dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për solidaritetin dhe respektin e treguar.

/ATSH