Kryeministri Edi Rama u shpreh i lumtur në konferencën për mediat se bashku me kancelarin gjerman, që Tirana është zgjedhur si vendi për të zhvilluar samitin e procesit të Berlinit më 16 tetor të këtij viti.

 

 

Rama tha se ky samit do të vazhdojë thellimin e procesit, do të trajtojë bilancin e arritjeve, objektivat për të arritur më tutje dhe do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon, teksa e cilësoi Gjermaninë si ‘bashkudhëtare të vëmendshme’.

 

Për planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Rama u shpreh se e mbështet fuqimisht planin e paqes, që sipas tij sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur që të dyja palët duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe kurajon e domosdoshme.

 

 

“Gjermania ka vullnetin për ta mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në këtë periudhë kaq të rëndësishme për ne dhe për BE. Jemi mirënjohës besoj jo vetëm unë por të gjithë liderët e rajonit, që këtë vit samiti i procesit të Berlinit spostohet në Rajon për herë të parë dhe jam i lumtur që Tirana është përzgjedhur si vendi i zhvillimit të këtij samiti. Ky samit do të vazhdojë thellimin e procesit, do të trajtojë  bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe objektivat për të arritur më tutje dhe do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon. Bashkëpunimi rajonal është e vetmja rruga që kemi dhe jemi me fat që Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe i përfshirë drejtpërdrejt. Kemi diskutuar disa aspekte të jetës ekonomike financiare dhe disa element të rëndësishme për standardet e jetesës dhe domosdoshmërinë që BE të hedhe një hap më tutje në funksion të mbështetjes të fuqizimit të mekanizmave që do e bëjnë këtë konvergjencë të realizueshme. Kemi folur për procesin e integrimit dhe sfidat e tij, ka shumë për punë për të bërë, kemi diskutuar sesi Gjermania mund të na ndihmojë për të gjithë atë makineri të përgatitjeve të ligjeve për tu adoptuar me BE. Kemi diskutuar edhe për rajonin, ne e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështriminin tonë është një plan shumë përmbajtësor dhe realist, që sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur që të dyja palët duhet ta trajtojnë me seriozitet dhe kurajon e domosdoshme. Më vjen mirë që dot mund të shpallim edhe datën, 16 tetori i këtij viti ku do të punojmë ngushtë së bashku”– tha ndër të tjera kryeministri Rama nga Berlini.