Nga një shkollë e re e rindërtuar pas tërmetit, ministrja e Arsimit dhe Sportit ka uruar Ditën e Mësuesit, duke premtuar se të tjera shkolla të reja dhe të sigurta do të jenë gati vitin e ardhshëm. 

 

 

Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino kanë takuar dhe uruar mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Dhosi Liperi” në Sukth me rastin e 7 Marsit, festës së mësuesve. “Dhosi Liperi” është një shkollë e re e sapo përfunduar, mundësuar nga programi EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.

 

300 nxënësit e kësaj shkolle dhe stafi pedagogjik zhvillojnë tashmë procesin mësimor në një shkollë me standarte evropiane. Vetëm në njësinë administrative Sukth janë ndërtuar 5 shkolla të reja, 4 nga procesi i rindërtimit dhe një tjetër me buxhetin e bashkisë. Dy prej këtyre godinave arsimore janë shkolla të mesme.

 

 

Në të gjithë bashkinë e Durrësit në tre vitet e fundit janë ndërtuar 18 objekte të reja arsimore në kuadër të procesit të rindërtimit ndërkohë që shumë të tjera janë në proces.

 

Gjithashtu ka dhe objekte të tjera arsimore që nuk kanë nisur ende së rindërtuari, siç janë gjimnazet e qytetit të Durrësit.  Nxënës e mësues të shkollave në proces dhe atyre në pritje për rindërtimin vazhdojnë procesin mësimor në turnet e pasdites në shkollat pritëse.