Ka mbërritur sot në portin detar të Durrësit anija logjistike luftarake “San Marco”. E pajisur dhe me një platformë aeroplanmbajtëse, ajo është një nga anijet kryesore të marinës ushtarake italiane.

 

 

Anija luftarake ka sjellë mjete ushtarake për llogari të KFOR. Pas shkarkimit ato do të nisen drejt Kosovës, ndërsa “San Marco” do të largohet nga porti i Durrësit të mërkurën.

 

Kjo anije ka ardhur disa herë në vendin tonë dhe shumë durrsakë e mbajnë mend mbërritjen e saj veçanërisht gjatë viteve ’90, përfshirë dhe marsin e trazuar të 1997-s, në kuadër të misioneve humanitare.

 

 

Në shkurt të këtij viti, anija la portin e Brindizit për të lundruar drejt Turqisë, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti atje. Në bordin e anijes ishin dhe pajisjet e një spitali fushor dhe staf i specializuar mjekësor për të vepruar në rast fatkeqësish.

 

Pas këtij misioni humanitar, një nga ndalesat e radhës dhe më e fundit është në portin shqiptar për të transportuar mjete të cilat po kalojnë drejt Kosovës.